Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 0%
  • Mungesa e kohës 0%
  • Mungesë motivimi 0%
  • Lodhja fizike 0%

Sulmi në Odesa pranë takimit Zelensky-Mitsotakis, Rama: Provokim i rrezikshëm

Nga A2 CNN
7 Mars 2024, 13:04 | Aktualitet

Kryeministri Rama ka reaguar një ditë pas sulmit në Odesë të mërkurën, shumë pranë vendit ku po takoheshin Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Dënojmë me forcë sulmin me raketa ruse në Odesa që vuri në rrezik jetët e Kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis, një mik dhe një aleat i përkushtuar në NATO dhe Presidentit Zelensky, të cilin pata kënaqësinë ta mikprisja, javën e kaluar në Tiranë. Këto janë provokime të rrezikshme dhe të pamatura”, shkroi Rama në rrjetin social X.

Pas sulmit, Zelensky dhe anëtarët e delegacionit grek nuk u dëmtuan, pavarësisht se raketa ra rreth 500 metra larg, thanë zyrtarët grekë për gazetën Protothema. Zelensky dhe Mitsotakis po vizitonin portin e Odesës rreth orës 10:40 të mëngjesit kur u dëgjuan sirenat e sulmit ajror dhe pas pak minutash ndodhi shpërthimi. “Ne dëgjuam zhurmën e sirenave dhe shpërthimeve që ishin shumë afër nesh. Ne nuk patëm kohë të shkonim në një vend të sigurt”, citohet të ketë thënë Mitsotakis nga transmetuesi shtetëror ukrainas.

Ndërsa Presidenti ukrainas ka bërë me dije se ai ishte mjaft pranë për të parë dhe dëgjuar sulmin dhe konfirmoi se një numër njerëzish kanë mbetur të vrarë dhe të plagosur. “Ne e pamë këtë sulm që ndodhi sot. E shihni me kë kemi të bëjmë, nuk u intereson se ku godasin. E di që ka pasur viktima sot, nuk i di ende të gjitha detajet, por e di që ka të vdekur dhe të plagosur. Ne duhet të mbrohemi para së gjithash. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është me një sistem të mbrojtjes ajrore”, tha Zelensky nga Odesa.

Sipas transmetuesit publik grek ERT, vizita e Mitsotakis në Odessa u krye nën fshehtësinë më të madhe, por ai kishte informuar në veçanti presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe disa liderë të tjerë evropianë për këtë ndalesë në Odessa, përpara se të shkonte në Bukuresht, ku do të marrë pjesë në konferencën e Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Rusia ka goditur Odesën me raketa për muajsh të tërë, duke shënjestruar objektet e depozitimit të drithit ukrainas.

 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi