Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 50%
  • Mungesa e kohës 33%
  • Mungesë motivimi 0%
  • Lodhja fizike 17%

Sulm me raketa ruse pranë vendit ku Zelensky po takonte Mitsotakis, ka viktima dhe të plagosur

Nga A2 CNN
6 Mars 2024, 17:10 | Bota

Një raketë ruse goditi Odesën të mërkurën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhej në qytetin port të Detit të Zi në një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Zelensky dhe anëtarët e delegacionit grek nuk u dëmtuan, pavarësisht se raketa ra rreth 500 metra larg, thanë zyrtarët grekë për gazetën Protothema, ndërsa zyra presidenciale në Kiev nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zelensky dhe Mitsotakis po vizitonin portin e Odesës rreth orës 10:40 të mëngjesit kur u dëgjuan sirenat e sulmit ajror dhe pas pak minutash ndodhi shpërthimi.

Ne dëgjuam zhurmën e sirenave dhe shpërthimeve që ishin shumë afër nesh. Ne nuk patëm kohë të shkonim në një vend të sigurt”, citohet të ketë thënë Mitsotakis nga transmetuesi shtetëror ukrainas.

Sakaq, Presidenti ukrainas ka bërë me dije se ai ishte mjaft pranë për të parë dhe dëgjuar sulmin dhe konfirmoi se një numër njerëzish kanë mbetur të vrarë dhe të plagosur.

“Ne e pamë këtë sulm që ndodhi sot. E shihni me kë kemi të bëjmë, nuk u intereson se ku godasin. E di që ka pasur viktima sot, nuk i di ende të gjitha detajet, por e di që ka të vdekur dhe të plagosur. Ne duhet të mbrohemi para së gjithash. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është me një sistem të mbrojtjes ajrore”, tha Zelensky nga Odesa.

“Nëse janë ushtarakë, civilë, mysafirë ndërkombëtarë – nuk ka rëndësi për këta njerëz. Ose e kanë humbur mendjen ose nuk kanë kontroll mbi veprimet e ushtrisë së tyre terroriste. Kjo thekson nevojën që ne të mbrohemi", shtoi ai.

Zëdhënësi i marinës ukrainase Dmitry Pletenchuk tha për Ukrainska Pravda se pesë persona humbën jetën pas sulmit rus të nisur sot kundër infrastrukturës portuale të Odesës. 

"Më 6 mars, armiku goditi infrastrukturën portuale të qytetit. Pesë persona u vranë. Hetimet janë duke u zhvilluar, të gjitha rrethanat e një krimi tjetër lufte nga Federata Ruse po vërtetohen", tha ai.

Vizita e kreut të qeverisë helene në Odessa ka qenë e pa paralajmëruar. Ajo zgjati rreth gjysmë ore dhe u zhvillua në portin e qytetit, me Mitsotakis që riafirmojë mbështetjen e Greqisë për Ukrainën.

Delegacioni grek përfshinte Ministrin e Shtetit Stavros Papastavrou, këshilltaret kryeministrore Anna Maria Boura dhe Aristotelia Peloni, si dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit Kyra Kapi dhe Alexandros Marakis, së bashku me fotografin dhe videografin e tij.

Sipas transmetuesit publik grek ERT, vizita e Mitsotakis në Odessa u krye nën fshehtësinë më të madhe, por ai kishte informuar në veçanti presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe disa liderë të tjerë evropianë për këtë ndalesë në Odessa, përpara se të shkonte në Bukuresht, ku do të marrë pjesë në konferencën e Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Ndërkohë, Zelensky bën shpesh udhëtime me rrezik të lartë në vijat e frontit dhe ka mirëpritur dhjetëra liderë botërorë në Ukrainë gjatë më shumë se dy viteve të luftës me Rusinë, por sulmi i së mërkurës mund të përfaqësojë një nga kërcënimet më të afërta për jetën e presidentit.

Rusia ka goditur Odesën me raketa për muajsh të tërë, ndërsa Moska ka shënjestruar objektet e depozitimit të drithit ukrainas.

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë