Ndonëse të ndarë në aksionet politike, liderët e partive kryesore në vend janë bashkuar në mesazhet e tyre drejtuar kombit shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur foton e një vajze të vogël të veshur me kostum tradicional, e cila prek flamurin kombëtar për të uruar shqiptarët kudo që ndodhen për këtë ditë të shenjtë të historisë së shtetit tonë.
Të njëjtën rrugë, përmes rrjeteve sociale ka gjetur dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në X ka postuar një fragment të këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime” të Vaçe Zelës me urimin “Gëzuar miq, ditën e Flamurit”.
Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan krah fotos së tij teksa bën homazhe në monumentin e vendosur në Vlorë për të shënuar këtë ditë se “Flamuri Kombëtar është simboli që bashkon të gjithë shqiptarët nga Skënderbeu te Adem Jashari”.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit që bashkon të gjithë shqiptarët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Adem Jasharin! Nderimin më të thellë për Atin e Shqipërisë, themeluesin e shtetit tonë modern, Ismail bej Vlorës dhe veprës së ndritur të shumë patriotëve të tjerë që përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë”, shkruan Ilir Meta.
Ndërkohë, urimeve i është bashkuar dhe Lulzim Basha. "Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët për festën e flamurit kuqezi, simbolit tonë të shenjtë të lirisë dhe krenarisë kombëtare", shkruan Basha në Facebook. (A2 Televizion)