Për të gjithë ata që kanë zgjedhur që të festojnë ndërrimin e vitit në Tiranë, janë përgatitur shumë aktivitete që nisin nga mesdita e deri natën vonë. Enida Mara, specialiste pranë drejtorisë së promovimit në Bashkinë e Tiranës ka zbuluar në “Dita Jonë” në A2 CNN, në emisionin maratonë në këtë 31 dhjetor, të gjitha surprizat që do të na shoqërojnë përgjatë gjithë kësaj dite.
“Nga sot në orën 11:00 do të kemi performancë nga Cirku i Tiranës në sheshin Skëndërbej, në mbrëmje rreth orës 10:30-11 është menduar një koncert me Ardit Cunin, Era Istrefi dhe Arilena Ara, dhe në orën 12:00 do të jetë show i festivaleve”, tha ajo për gazetarin Armend Pire.
Mara shtoi se Tirana ka pasur aktivitete përgjatë gjithë dhjetorit, që kulmojnë në 24-31 dhjetor.
“Tirana ka aktivitetet gjatë gjithë vitit, dhe normalisht pikën kulminante e ka pasur nga data 24 dhjetor, ku më tipiket kanë qenë koncertet, nata tradicionale, nata e rock, nata e jazz, ndërkohë nga e premtja deri sot kemi pasur cirkun e Tiranës dhe Ansamblin”, u shpreh Mara. (A2 Televizion)