Gjirokastra tashmë ka bindur investitorë të huaj nga kryeqendra të turizmit botëror siç është Venecia, që të vijnë dhe të investojnë në fushën e turizmit në qytetin e mbrojtur nga UNESCO.
Ugo Brusegan, një venecian me eksperiencë të gjatë në fushën e turizmit, ka vendosur që përvojën e fituar ta përdorë edhe në Gjirokastër të cilën e shikon si një vend me mjaft potencial për të thithur turistë.
Por nisur nga përvoja e tij dhe njohja e kërkesave të turistëve, Ugo ka një apel për institucionet shqiptare dhe natyrisht investitorët, që me ndërtimet e tyre po rrezikojnë që ta humbasin potencialin dhe atë për të cilën po pëlqehet vendi ynë nga turistët e huaj.
“Keni atë që ju duhet, një natyrë e mrekullueshme dhe keni një zemër të mrekullueshme. Shqiptarët kanë zemër të mirë mikpritje. Dhe turistët e elitës duan pikërisht këto dy elementë, natyrë dhe zemër të mirë. Por duhet bërë kujdes sepse nuk duhet ndërtuar shumë apo ndërtuar keq, pasi në këtë mënyrë turistët do t’i largoni. Gjithçka artificiale e ndërtuar nuk do të preferohet nga turistët. Turistët elitarë duan historinë, natyrën, kulturën, pse jo dhe cicërimën e zogjve dhe ku muzika e lartë i mund këto mund të jetë një problem”, tha për A2 CNN, Ugo Brusegan, administrator hoteli në Gjirokastër.
Një hap i rëndësishëm i thithjes së turistëve elitarë është edhe hapja e aeroportit turistik në Gjirokastër nga ku kanë filluar të vijnë edhe turistët e parë ne avionë privatë nga Bari i Italisë, por mungesa e shërbimeve doganore dhe atyre logjistike për pilotët, në pistën e aeroportit, megjithëse u premtuan që do të bëheshin një vit më parë, vështirëson shumë pilotët të cilët duhet të ulen një herë në Rinas për të ardhur më pas në Gjirokastër.
“Sipas tyre në bisedat që patëm, që të ketë një numër në rritje, dhe kërkesat janë të shumta përsa i përket aeroportit të Gjirokastrës duhet që procedurat e pronotimit të fluturimeve dhe gjithçka që ata kanë si praktikë të jetë më e thjeshtë, më elektronike dhe sipas tyre ky aeroport do të ketë një invazion, në thonjëza, prej avionëve të turizmit elitar”, tha për A2 CNN, Teodor Bilushi nga Forumi për Aeroportin në Gjirokastër.
(A2 Televizion)