Nis era e ndryshimeve në shëndetësi, emërohet drejtuesja e re e QSUT-së

Nga Ornela Joti
25 Mars 2024, 14:41 | Aktualitet

Era e ndryshimeve në shëndetësi sapo ka filluar. 7 muaj nga marrja e detyrës së ministres së Shëndetësisë Albana Kociu firmos shkarkimin e drejtorit të QSUT. Albana Fico largohet nga detyra pas 2 vjet e gjysmë drejtim dhe në vend të saj emërohet mjekja reanimatore, Alma Cani, ish-nëndrejtoreshë e Sanatoriumit.

E pyetur nga mediat në lidhje me motivacionin e largimit, ministrja e Shëndetësisë foli për nevojën e një fryme dhe energjie tëre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Largimi i Albana Ficos vjen në një kohë kur QSUT ka pezulluar pa afat shërbimin e urgjencës së sëmundjeve të brendshme, e cila u përfshi nga flakët një vit nga ndërtimi.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se rivënia në punë e këtij shërbimi do të jetë prioritet i punës për kreun e ri të QSUT-së.

Prej më shumë se një muaji urgjenca e QSUT është jashtë funksioni. Zjarri i rënë në shërbimin e Radiologjisë, në katin e nëndheshëm, ka pezulluar këtë shërbim i cili vijon të mbulohet nga Spitali i Traumës dhe Sanatoriumi.

Vetëm dy ditë më parë Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme bëri një vit nga ndërtimi dhe inaugurimi i saj. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se investimi i Bankës Botërore prej 17 milion euro, është marrë në dorëzim nga ministria e shëndetësisë dhe jo nga QSUT. 

Edhe më herët ministrja e shëndetësisë ka lënë të kuptohet se riparimi i dëmit të shkaktuar nga zjarri do të bëhet nga ministria dhe jo nga firma ndërtuese, garancia e së cilës ka përfunduar në 17 mars të 2024.

Tashmë kemi një drejtues të ri në QSUT, pa një ndikim direkt për qytetarët, por ende nuk kemi një date të saktë se kur do të rinisë puna në urgjencën e djegur të QSUT   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos