Mjeku Erion Dasho, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit, në A2 CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama “e drejton shëndetësinë me klarinetistë dhe balerina”.
“Ka 10 vjet që e drejton shëndetësinë me klarinetistë dhe balerina. Në stafin drejtues të shëndetësisë ka pasur persona që kanë mbaruar Fakultetin e Arteve. Pra, nuk e drejton me profesionistë. Nëse do e drejtonte me profesionistë do e kuptonte se para se të arrinte te shpërblimi i mjekëve në bazë të performancës ka shumë hapa të tjerë që duhen bërë. Në radhë të parë, duhet zgjidhur modeli i pagesës, që Rama e ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme tashmë”, tha Dasho.
Sipas tij, ajo që ndodhi gjatë pandemisë ishte fytyra e vërtetë e kësaj qeverie.
“Para një jave, administrata e zotit Rama mori një goditje tepër të rëndë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nuk flasin më opozitarët ose mjekët kritikë, por OBSH-ja, që flet me shifra. OBSH tha se shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi, që është përqindja më e lartë në të gjithë Evropën. Në Gjermani, paguajnë 12% të shpenzimeve nga xhepi. Këto raporte mundohet t’i tejkalojë Rama nëpërmjet aktiviteteve si ky i sotshmi”, theksoi Dasho. (A2 Televizion)