Reagimet e Ramës dhe Kurtit për shqipen, Mexhiti: E kanë obligim që të flasin për shqiptarët në RMV!

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2024, 21:54 | Aktualitet

I pyetur mbi reagimet e kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti për debatin mbi ligjin për gjuhët, zv-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti tha në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN se të dy liderët e kanë obligim të kujdesen për shqiptarët kudo që jetojnë. 

E para, parimisht kanë të drejtë kryeministrat edhe të Kosovës e të Shqipërisë, sepse e kanë obligim edhe në bazë të Kushtetutës (sidomos Shqipëria) që të kujdesen për shqiptarët jashtë vendit. Mirëpo edhe në Kushtetutën e Maqedonisë është e përcaktuar se ne jemi pjesë e kombit shqiptar. Ndaj interferencat, shqetësimet dhe bashkëpunimet janë shumë natyrale dhe shumë objektive”, tha Mexhiti.

Ai u ndal në veçanti te reagimet që shkaktuan komentet e Albin Kurtit, i cili tha se nuk ka pasur kurrë në Maqedoninë e Veriut një ligj të veçantë për gjuhën shqipe, duke nënvizuar se kreu i qeverisë së Kosovës ka të drejtë në këtë pikë.

Nëse e keni fjalën për deklaratën e zotit Kurti, e cila më andej u përfol shumë, mendoj se ai ka thënë të vërtetën se në Maqedoni nuk duhet të brengosemi se do bjerë ligji i gjuhës shqipe, ashtu siç u përpoq ta trumbetonte zoti Ahmeti, për shkak se ne Maqedoni nuk ka ligj të gjuhës shqipe. Ka vetëm ligj të gjuhëve, i cili përkufizon me atë që e flasin mbi 20%”, deklaroi zv/kryeministri i RMV në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN

Edhe pse koalicioni VLEN, ku Lidhja Demokratike e drejtuar prej tij bën pjesë, e ka cilësuar ligjin e 20% me të cilin është bashkëjetuar deri më sot, si të keq, Mexhiti tha se edhe “kështu si është duhet respektuar, pasi është një avancim i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”.

Edhe ligji i keq duhet respektuar. Nuk ka tema tabu, i bisedojmë ato dhe pse për hir të së vërtetës nuk janë numrat në favorin tonë. Politikën e përcaktojnë dhe diktojnë numrat dhe në parlament ka 120 deputetë. Shumica maqedonase ka vetë 65 deputetë dhe teorikisht mund të bëjnë dhe qeveri vetëm, por ne aty nuk jemi si numra, jemi përfaqësuesit e shqiptarëve dhe me dinjitet e guxim i kemi hapur këto tema me partnerin tonë., ashtu siç kemi gjetur zgjidhje për mekanizimin e balancuesit, i cili u abrogua të zëvendësohet me zgjidhje ligjore apo me ligj të posaçëm. Pra është një lloj avancimi i kësaj çështje. Ne besojmë se dimë dhe mundemi që të avancojmë edhe me gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos