Rektorët kundër ligjit të shkencës, universitetet-Spiropalit: Pezullo shqyrtimin! Bie ndesh edhe me kushtetutën

Nga Ornela Joti
14 Tetor 2024, 16:12 | Aktualitet

Universitetet i kërkojnë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, pezullimin e procedurave parlamentare për projektligjin e shkencës. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Arsimit, Konferenca e Rektorëve argumentoi se përse drafti i paraqitur nga Ministria e Arsimit për kërkimin shkencor është në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit të Arsimit të lartë. 

Profesor Artan Hoxha, Kryetari i Konferencës së Rektorëve dhe një nga hartuesit e ligjit të Arsimit të Lartë në 2015, deklaroi se drafti  I ministrisë për shkencën i kthen Universitetet në komunizëm, ku para viteve 90,  kërkimi shkencor drejtohej nga Akademia e Shkencave.

Por ndryshe nga Universitetet, Kreu i Akademisë së Shkencave e vlerësoi projektligjin. Gjatë seancës dëgjimore Skënder Gjinushi zbuloi se  ngritja e Këshillit Kombëtar të Shkencës ishte propozim i tij.  Rektore të universiteteve publike dhe private kërkuan tërheqjen e këtij varianti që sipas tyre do të dëmtojë universitetet dhe brezin e ri të kërkuesve shkencorë.

Drejtues të universiteteve treguan se variantet e projektligjit për shkencën që kishin konsultuar më herët me Ministrinë e Arsimit, ishin krejt të ndryshme nga ai që po diskutohet në komisione. Rektorët shprehën keqardhje për kalimin e draftit nga dy komisione të tjera, duke e bërë gati drejt miratimit nga parlamenti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos