“Patentat me lekë” shkak për rritjen e aksidenteve rrugore. Eksperti: Kemi sinjal pozitiv nga autoritetet

Nga A2 CNN
14 Tetor 2024, 13:30 | Aktualitet

Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasha, tha se numri i aksidenteve të rënda, ku ka viktima, vazhdon të jetë i lartë dhe faktori kryesor për këtë është sjellja e shoferëve. Sipas tij, ata janë përgjegjës për 95% të aksidenteve që ndodhin në Shqipëri, për shkak të abuzimit me alkoolin, drogën dhe përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

“Unë e kam thënë edhe herë të tjera që situata nuk është e mirë, bile gjatë gjithë këtij viti ne kemi pasur dhjetëra aksidente rrugore, shumë edhe me humbje jetësh. Shikoj edhe një shkrehje të organeve shtetërore për përballimin e kësaj situate. Kjo mbulohet vetëm po themi ca gjoba dhe asgjë më shumë, po situatën jo vetëm që nuk e kemi të mirë, por çdo ditë po dëgjojmë nëpërmjet jush, për ngjarje shumë të rënda”, tha Hasha në një intervistë në “Dita jonë”.

Eksperti i sigurisë shtoi se heqja e patentës, në vend të rritjes së gjobave, do të shërbente më mirë si një masë parandaluese për sjellje të papërgjegjshme. Lidhur me fenomenin e blerjes së patentave, Hasha tregoi shqetësimin e tij për faktin që shumë individë mund të kenë marrë lejet e drejtimit pa u testuar si duhet, duke kontribuar kështu në rritjen e rrezikut në rrugë.

“Unë mendoj se kjo është pasojë e asaj që ka ndodhur në të shkuarën, atyre lejeve të drejtimit që nuk janë marrë në mënyrë korrekte”, tha Hasha, shkruan A2 CNN. “Ka një sinjal pozitiv nga Drejtoria e Shërbimeve e Transportit Rrugor që shumë pak i marrin nga ata që kthehen për ta marrë patentën. Nuk e di, sepse nuk di shifra që të jem konkret, por është lajm i mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos