Sezoni i verës së bashku me turistët sjell në vendin tonë edhe rrezikun e zjarreve. Vera e kaluar ishte mjaft e ngarkuar me zjarre që përfshinë me qindra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë vendin.
Drejtori i emergjencave civile Haki Çako i shoqëruar edhe nga ekspertë të mjedisit kanë qenë në pyllin e Pishporos, i cili verën e kaluar u përfshi nga një zjarr masiv që zgjati për rreth një javë.
Përveç rritjes së kapaciteteve me të reparteve zjarrfikëse me automjete, logjistike dhe efektivë, Çako u shpreh se është mjaft e rëndësishme monitorimi dhe reagimi në kohë.
Për këtë arsye ai prezantoi edhe aplikimin e një projekti të financuar nga qeveria japoneze.
Një tjetër masë që pritet të merret këtë verë janë edhe vendosja e stacioneve verore të zjarrfikësve si dhe ngritja e hidrantëve pranë zonave që paraqesin risk të lartë për tu përfshirë nga zjarret. (A2 Televizion)