"Surrogacia", Shehu: I shtyrë nga grupet kriminale, nëse miratohet do të pasohet nga ligji i martesave homoseksuale

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 13:03 | Aktualitet

I deklaruar kundër projektligjit për shëndetin seksual dhe riprodhues, ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, shpreson që të kundërshtohet parimisht nga të gjithë dhe të mos dërgohet në parlament. Në studion e Ditarit me Denisa Pashollin, ai ripërsëriti qëndrimin e tij, duke theksuar se pas këtij ligji qëndrojnë grupet kriminale mafioze brenda dhe jashtë vendit për të krijuar në Shqipëri një fermë të uteruseve dhe fetuseve me qëllim përfitimi.

“Ky nuk mund të jetë ligj teknik, se lidhet me konceptin e familjes, të drejtën dhe diskriminimin e gruas, së fetusit, të fëmijës, konceptet e prindit në tërësi që familja përbëhet nga nëna dhe babai dhe fëmijët dhe jo nga prindi 1, 2, lidhet me elemente sociale dhe ha debate politike. Nuk është teknikë mjekësore e thjeshtë. Është diçka që prek natyrën njerëzore, parimet bazë të familjes dhe për mendimin tim është hedhur e sponsorizuar për t’u përdorur nga grupe mafioze, për të krijuar në Shqipëri një fermë të uteruseve, fetuseve që shpërndahen. Është më e thellë se ana mjekësore. Së dyti, ana mjekësore. Uterusi nuk është kasafortë bankare, është organ biologjik i rëndësishëm ku bëhet ndërlidhja midis fetusit e nënës që e ka në bark. Fëmija krijon afinitet të ndërsjellë, fëmija njeh zërin e nënës, e cila shprehet me lëvizjet e fëmijës rrahjet e zemrës, fëmija njeh ambientin e jshtëm nëpërmjet nënës”.

Sipas tij, të dyja kolonat e këtij ligji, nëna surrogato dhe lehtësimi i procedurave të aborteve, janë kriminale, në një kohë kur shoqëria shqiptare, sipas Shehut nuk e kërkon një gjë të tillë dhe Parlamenti Europian e cilëson kriminale.  

“Ligji ka dy elementë kryesore; uterusin me qira apo surrogato dhe lehtësimin e procedurave të aborteve. Të dy kolonat e ligjit janë kriminale, bien ndesh me të drejtat njerëzore dhe ekspozojnë gruan e fetusin. PE-ja miratoi një rezolutë që e konsideron kriminal uterusin me qira. Pse hidhet sot ky ligj që nuk ka asnjë shtytje e interes nga publiku shqiptar, kur ka shumë elemente të tjera që lidhen me jetën e vdekjen. Shqipëria ka shumë probleme. Ajo që ka funksionuar është kriminale. Ka funksionuar kundrejt pagesave të larta deri në 60 mijë euro për ata që e kanë bërë. Sa gra shqiptare do blejnë uterus? Numri do të jetë minimal. Po kërkohet të hapet treg ndërkombëtar në Shqipëri në funksion të bandave kriminale që u sjell atyre fitime”.

Shehu thekson se ky ligj bie ndesh me parimet universale të familjes dhe duhet rrëzuar në parim, pasi në të kundërt do të pasohet me ligje të tjerë si ai i martesave homoseksuale me pasoja të rënda për shoqërinë.

“Ky ligj bie ndesh me të drejtën, dinjitetin e fëmijës, fetusit dhe gruas. Ky ligj duhet rrëzuar në parim. Në shoqërinë shqiptare nuk ka asnjë kërkesë të tillë futet një ligj artificial. Është në bashkëpunim me grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit. Shoqëria nuk mund ta pranojë këtë gjë se shkelet norma thelbësore dhe do pasohet me ligjin e martesave homoseksuale. Duhet t’i qëndrojmë fort në parim këtyre ligjeve që të mos kemi pasoja të rënda për shoqërinë tonë”.

Kriminal Shehu e quajti edhe abortin, sipas të cilit qeveria duhet të mbështesë politikat pro lindshmërisë.

“Lindshmëria ka rënë, ku niveli minimal duhet të jetë 2.1 lindje për një grua. Duhen politika pro lindjes. Aborti është mjet kriminal vrasës. Është ligj kriminal. Kemi nevojë për të mbajtur e rritur popullsinë, për të mbështetur gruan, për t’u bërë nënë. E drejta universale e gruas nuk është aborti, por të bëhet nënë dhe duhet mbështetur me të gjitha politikat. Ligji në tërësi është gabim. Duhet hedhur poshtë dhe nëse ka nevojë të përmirësohet legjislacioni aktual. Shpresoj të ketë tërheqje dhe të mos sillet në parlament ky ligj. Të gjithë duhet ta ndjejnë veten të ofenduar”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi