Vermoshi turistik, mes bukurive të natyrës dhe sfidave të punësimit

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2024, 14:26 | Aktualitet

Zonat malore turistike të Vermoshit dhe Lepushës në Malësinë e Madhe gjatë sezonit të verës kanë patur një rënie të numrit të vizitorëve.

Edhe pse çmimet atje nuk kanë pësuar ende rritje dhe ofron një natyrë të bukur e ushqime bio, nuk ka patur të njëjtin ritëm pune si vitet e mëparshme.

Një shqetësim për banorët e Vermoshit dhe Lepushës është boshatisja e fshatrave çdo ditë e më shumë. Disa bujtina në këto zona turistike janë mbyllur sepse pronarët e tyre kanë emigruar. Ikja e banorëve të Vermoshit dhe Lepushës ka bërë që të mos ketë as punëtorë në këto zona, duke detyruar pronarët e bujtinave që të bëjnë çdo punë vetë.

Stina e dimrit që po afron gjithnjë e më shumë sjell probleme të mëdha, duke bërë që shpesh herë Vermoshi dhe Lepusha të kenë ndërprerje të energjisë elektrike. OSHEE për rajonin e veriut ka ndërhyrë duke përmirësuar linjat ekzistuese të cilat janë të amortizuara.

Vermoshi dhe Lepusha janë dy prej zonave turistike më të bukura në vend, me një natyrë të virgjër dhe shumë shtigje ende të paeksploruara nga vendas e të huaj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos