U promovua në një ceremoni në Bankën e Shqipërisë, libri i Akademikut, Prof. Dr Anastas Angjeli, “Institucionet e Bretton Woods dhe Shqipëria”.
Ky libër ofron një kolonë historike të ngjarjeve, shkaqeve dhe teorive ekonomike, të cilat i paraprinë krijimit të këtyre institucioneve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha se “ajo çfarë e bën këtë libër të veçantë, është fakti se autori i shikon të tria këto institucione si projeksione të një vizioni politik e human që synojnë rritjen e stabilitetit dhe zhvillimin në nivel global”.
“Libri rendit në mënyrë të organizuar dhe të logjikshme marrëdhëniet ekonomike, financiare dhe ato politike që çuan në krijimin e rendit aktual botëror dhe sfidat me të cilat përballet ai”, u shpreh Sejko.
Këto institucione u ndërtuan mbi 3 parime bazë dhe me qëllimi ruajtjen dhe stabilitetin ekonomik e financiar. Krijimi i tyre, u bazua në krijimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike, garantimin e stabilitetit ekonomik e financiar dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e ideve dhe së treti, garantimi i mbështetjes me kapitale të mjaftueshme financiare për të siguruar rimëkëmbjen nga krizat dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
“Libri “Institucionet e Bretton-Woodit dhe Shqipëria” (FMN, BB, GATT-OBT), është një kontribut i rëndësishëm në analizën e këtij bashkëpunimi, i efekteve të tij në tranzicionin dhe realitetin shqiptar, i arritjeve dhe vështirësive gjatë marrëdhënieve në këtë periudhë, në kontributin e këtyre institucioneve në politikëbërjen dhe vendimmarrjen në lidhje me zhvillimet më thelbësore financiare, monetare, ekonomike e tregtare”, u shpreh Prof. Dr Adrian Civici.
Ai shtoi se ky botim ka vlerë jo vetëm në aspektet teorike e historike të tij, por mbi të gjitha, në aspektet konkrete të lidhura me shumë zhvillime të rëndësishme në realitetin Shqiptar e rajonal në kuadrin e përmbylljes me sukses të procesit të gjatë e të vështirë të tranzicionit dhe hapjes së rrugës për integrimin europian të Shqipërisë.
“Autori na tregon se zhvillim i qëndrueshëm do të thotë të mësosh të jetosh brenda kufijve të vetëm të një planeti, në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze për të gjithë, pa shfrytëzuar deri në pikën e varfërimit sistemet natyrore, nga të cilat ne nxjerrim burimet dhe pa e tejkaluar kapacitetin e tyre për të thithur mbetje dhe mbeturina të krijuara nga aktivitetet tona. Ky libër është një punim që i mungon në shqip si literaturës historike, ashtu dhe asaj ekonomike të deritanishme dhe që jep një kontribut të vlefshëm në pasurimin e saj”, u shpreh Prof. Dr, Nikollaq Pano.
Akademiku Vasil Tole vlerësoi librin dhe u shpreh se, ky ai vjen në vazhdën e punimeve të autorit si vlerë e shtuar e mendimit më të mirë ekonomik në Shqipëri. Në mbyllje të kësaj ceremonie, vetë autori mbasi foli për rethanat specifike dhe ecurinë e shkrimit të këtij libri, falenderoi të pranishmit dhe theksoi se ky libër do t’i shërbejë së pari studentëve por edhe publikut të gjerë. (A2 Televizion)