Bastet sportive nuk janë hapur, ata që duan të provojnë fatin duke luajtur “online”, duhet ende të presin

Nga Marjo Brakaj
22 Prill 2024, 12:41 | Ekonomi

Bastet sportive nuk janë hapur! Ata që duan të provojnë fatin duke luajtur “online”, do të duhet ende të presin.

Derisa të plotësohen kriteret e licencimit; derisa të licencohen kompanitë që do të ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit... nuk mund të themi se bastet sportive aktualisht janë të ligjshme”, tha Henri Telharaj, Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit.

Pas më shumë se dy muajsh nga votimi në Parlament i projektligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” dhe botimit të ndryshimeve në Fletoren Zyrtare në mesin e marsit, Ministria e Financave është ende duke hartuar aktet nënligjore. Nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmohet që deri më tani nuk ka ende asnjë kompani të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie. 

“Janë duke u plotësuar të gjitha ato të cilat në ligj janë shprehur në nivel politikash, tani janë duke u hartuar programet. Janë duke u hartuar programet për licencime të kompanive apo ato për mbrojtjen e lojtarëve dhe familjarëve të tyre.”

E në një kohë që bastet sportive, tashmë vetëm “online” pritet të bëhen të ligjshme, numri i lojtarëve të varur nga lojërat e fatit po zgjerohet.

“Situata u bë më e keqe se para se bastet sportive të ishin fizike dhe lojtarët duhet të shkonin fizikisht. Në këtë 5-vjeçar teksa pikat e basteve fizike ishin të mbyllura, u shtuan baste online. Nëse më parë ne kishim 5 mijë pika bastesh, gjatë këtyre 5 viteve, numri u barazua me popullsinë. Dikush që kishte varësi e thelloi atë dhe të tjerë të varur u shtuan.”

Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të identitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjithashtu, do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit.

A2 CNN Livestream

A2 Sport