Do të jetë viti 2026 kur të gjitha strukturat në sektorin e turizmit, qoftë publike apo dhe private, do të duhen të raportojnë online të dhënat e tyre. Në një intervistë për A2 CNN, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tregon më tepër detaje rreth “Këshillit Ndërinstitucional për Statistikat në Turizëm”.
“Një ndër qëllimet që kemi parashikuar të krijojmë themelin në 2024 dhe duhen 2 vite të tjera që të bëhen plotësisht i funksionueshëm duke patur parasysh që pritet fundi i një viti për analizat. Nëse operatorët privat nuk hedhin të dhënat, ai nuk do të ishte një mekanizëm i plotë”, tha Kumbaro.
Sipas shoqatave turistike, 48% e kapaciteteve akomoduese në vend janë jashtë sistemit të kontrollit dhe shitjeve, duke cenuar kështu dhe konkurrencën në treg. Shqipëria ka 107 mijë shtretër të regjistruar, hotele e bujtina dhe ka rreth 30 mijë apartamente që përbëjnë rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit të taksave, por janë të identifikuar.
Fokusi i ligjit për turizmin, sipas Kumbaros, është reduktimi i informalitetit: “Ideja për formalizim është një punë e përditshme e jona, është një instrument plus në të gjithë “puzzle”-in e madh. Ideja është e krijimit të një platforme ku aktorë të ndryshëm, njësitë e qeverisjes vendore, sektori privat, bashkitë, Policia e Shtetit dhe dogana të hedhin në mënyrë të koordinuar të dhënat për të nxjerrë analiza të sakta”.
“Do ndjekim një metodologji ndërkombëtare të përcaktuar nga Organizata Botërore e Turizmit, nga SAT, është koha ku turizmi është një treg i rëndësishëm që ta ndërtojmë. Jemi duke punuar me Bankën e Shqipërisë, INSTAT dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, shtoi Kumbaro.
Për sipërmarrjet turistike që ofrojnë dhe shërbime online, do të parashikohen detyrime shtesë. (A2 Televizion)