Inflacioni zbret në nivelin më të ulët në një vit

Nga Marjo Brakaj
8 Nëntor 2023, 12:11 | Ekonomi

Çmimet nuk po rriten me të njëjtat ritme si një vit më parë, por sërish mallrat që konsumojmë dhe të mirat e tjera materiale që përdorim në të përditshmen tonë vijojnë të mbesin të shtrenjta.

Inflacioni, treguesi që mat ndryshimin e çmimeve në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë ra në 3.8 për qind në tetor. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që prej shkurtit të vitit të shkuar. 

“Nuk është se çmimet janë bërë më të lira. Mund të themi se ritmet e shtrenjtimit janë shtrenjtuar. Nëse marrim si periudhë referimi vitet 2021 apo 2019, çmimet janë shumë më të larta,” shprehet Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë.

Kriza e çmimeve vijon të ndihet fortë ndërkohë te ushqimet dhe pijet. Inflacioni te kjo kategori produktesh përllogaritet në 7. 4 për qind muajin e shkuar. Pra çmimet u shtrenjtuan me 7.4 për qind në raport me tetorin e një viti më parë. 

“Pra nëse një kilogram domate vjet bënte 100 lekë e më pas 180 lekë, kjo rriti inflacionin. Nëse këtë vit çmimi ka qenë 150 lekë dhe rritet në 160 lekë, produkti vijon të shtrenjtohet por shkalla, në këtë rast inflacioni është në nivel më të ulët se një vit më parë.”

Pavarësisht ecurisë rënëse të inflacionit, në villim të muajit Banka e Shqipërisë rriti në 3.25 për qind normën bazë të interesit për lekun. Guvernatori Sejko paralajmëroi se politika shtrënguese mund të vijojë.

Po sa vend ka për vendimmarrje të tilla ë një kohë që të paktën zyrtarisht, treguesi i shtrenjtimit të çmimeve është në rënie?

“Edhe vendimmarrja e fundit nuk duhej. Banka e Shqipërisë ka të veten levë, rritjen e normës së interesit. Referuar situatës, nuk do duhet të kemi të tilla të paktën deri në fund të vitit."

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se transporti pati rënien më të lartë të inflacionit në tetor, me 8.3 pikë përqindje. Ndërkohë hyrjet përtej sezonit të turistëve bënë që inflacioni te baret dhe restorantet muajin e shkuar të rritej në 4.8 për qind nga 4.7 që ishte në shtator.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos