KE beson se ekonomia do të rritet më pak se parashikimet e "financave", shkak çmimet dhe forcimi i lekut

Nga Marjo Brakaj
16 Nëntor 2023, 14:59 | Ekonomi

Komisioni Europian beson se ekonomia e Shqipërisë do të rritet më pak nga se Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon. Në raportin e vjeshtës, “komisioni” vlerëson se Prodhimi i Brendshëm Bruto këtë vit do të rritet me 3.5 për qind këtë vit dhe 3.1 për qind gjatë 2024-s.

Ndërkohë “financat” janë më optimiste, duke parashikuar një rritje ekonomike përkatësisht në 3.7 dhe 3.6 për qind për vitin që po lëmë pas dhe për atë që presim.

“Do të thosha që është ende herët për të parashikuar. Lufta në Ukrainë vijon. Tregjet janë ende të pastabilizuara, veçanërisht ai i karburanteve. Parashikimet e institucioneve shqiptare janë gjithnjë më optimiste se ato ndërkombëtare, thotë Arben Malaj, ekspert ekonomie.

Komisioni Europian vlerëson se zgjerimi i ekonomisë shqiptare do të ngadalësohet kryesisht nga rënia e konsumit si pasojë e çmimeve të larta, punësimi ende në nivele të ulëta dhe nga forcimi i lekut.

“Forcimi i lekut po dëmton eksportet duke bërë që produktet tona të humbin aftësinë konkurruese. Do të kemi pasoja afatgjata në ekonomi”, tregoi Eugen Musta, ekspert ekonomie.

Komisioni Europian paralajmëron ndërkohë se Shqipëria do të thithë më pak investime të huaja në vijim, si pasojë e shtrëngimit të kushteve të financimit nga rritja e normës së interesit.

“Ky nuk është skenar aspak i mirë për stabilitetin financiar, ndaj duhen reforma që kjo të mos ndodhë”, tha Malaj.

“Qasja e dytë duhet të ofrohet nga politikat monetare dhe fiskale të Bankës së Shqipërisë dhe Qeverisë që mos humbim investime të huaja”, shtoi Musta.

Në raportin ku analizohen ekonomitë e vendeve të “unionit” dhe atyre pretendente për t’iu bashkuar “bllokut” vlerësohen pozitivisht përpjekjet e Shqipërisë për të ulur borxhin publik, i cili pritet të bjerë në rreth 60 për qind të Prodhimit të brendshëm Bruto vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos