Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 11%
  • Kujdesi familjar 84%
  • Ndikimi i shoqërisë 5%

“Kthejuni dialogut në Kuvend”, Spaho u shtrin “dorën e pajtimit” me kusht socialistëve, “refuzon” Braçe

Nga Marjo Brakaj
22 Nëntor 2023, 14:26 | Ekonomi

Tymi dhe flakët e 48 orëve më parë në Parlament, bashkë me reagimet e ndërkombëtareve duket se kishin ndikuar që demokratët të reflektonin.

Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku shqyrtohej nen për nen paketa fiskale e vitit të ardhshëm, Edmond Spaho shfrytëzoi momentin për t’u shtrirë “dorën e pajtimit”, por duke ju qëndruar kushteve të deritanishme.

“Ne po kërkojmë prej kohësh që parlamenti të kthehet në normalitet, dhe të pranohet kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore si dhe për komisionin e reformës zgjedhore. Duhet t’i jepni fund qëndrimit kokëfortë dhe t’i ktheheni dialogut në kuvend. Ju jeni deputetë dhe nuk duhet të votoni çdo gjë si të ishit automatë.”

Edmond Spaho - Deputet i Partisë Demokratike

Por, duket se kjo fjali e fundit ngacmoi socialistin Erion Braçe, i cili nuk ngurroi t’i rikthehej gjuhës që zor se i lë hapësirë rikthimit të paqes, të paktën me përkrahësit e Berishës.

“Zotëria e ka bërë baltë në këtë komision me fyerje të drejtpërdrejta të anëtarëve. Ky tipi ka vënë dorë edhe mbi gratë e kuvendit. Këtij sharlatani dhe çdo sharlatani tjetër që është në Kuvend për ti lëpirë fytyrën Berishës duhet ti vini fre. Pecetat higjieno-sanitare për burra si puna e këtij do i japin falas.”

Erion Braçe - Deputet i Partisë Socialiste

Kaq mjaftoi dhe planet për paqe ranë pa kaluar një çerek ore. Spaho braktisi mbledhjen “online” duke iu bërë edhe një zotim socialistëve. 

“Do të vazhdojmë me të njëjtën sjellje që ju keni parë si në komisione, ashtu edhe në seanca parlamentare.”

Edmond Spaho - Deputet i Partisë Demokratike

Largimi i demokratit të vetëm që ka qenë i pranishëm në dy seancat e fundit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat riktheu qetësinë mes socialistëve duke lejuar edhe ministrin Mete të mbante fjalën e radhës.

“Paketa e këtij viti është lehtësuese dhe synon stabilitetin fiskal të vendit në afatmesëm dhe afatgjatë.”

Ervin Mete - Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Paketa fiskale e fitit të ardhshëm do të shqyrtohet edhe në dy seanca të tjera nen për nen në komisionin për ekonominë dhe Financat, p[ara se të shkojë për votim në Parlament në mesin e dhjetorit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi