Mbi 35 mijë borxhlinj, detyrimet e bizneseve ndaj tatimeve arritën në 1.5 miliardë euro në 2023

Nga Marjo Brakaj
16 Shkurt 2024, 15:59 | Ekonomi

Borxhi që bizneset kanë ndaj tatimeve për detyrimet e papaguara arriti në 155.2 miliardë lekë, apo rreth 1.5 miliardë euro fund-vitin e shkuar.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në raport me fundin e vitit 2022, borxhi tatimor gjatë 2023-shit është zgjeruar me 8.4 miliardë lekë apo 6 për qind.

“Është rritur mungesa e pagesës e vetë sistemit të funksionimit të biznesit. Vetë marrëdhënia furnitor-klient ka vonuar pagesat. Kjo si brenda, ashtu edhe jashtë vendit,” shprehet Elisabeta Katia, eksperte kontabël.

Më shumë se sa vlera, për ekspertët shqetësimi kryesor mbetet struktura e borxhit. Kjo pasi 114.4 miliardë lekë, shifër kjo sa 74 për qind e totalit, i përket sipërmarrjeve me status pasiv, pra që kanë mbyllur aktivitetin e tyre.

“Pse borxh tatimor dhe jo borxh me privatin? Ky fenomen që është konstatuar nga DPT, unë besoj se ka ndikuar barra fiskale si pasojë e  rritjes së sigurimeve shoqërore, por duhet të pranojmë se është edhe kulturë e kultivuar në vite.”

Të dhënat nga “tatimet” tregojnë se gati gjysma e borxhit prej rreth 1.5 miliardë eurosh që sipërmarrjet kanë, është krijuar nga penalitetet dhe kamat-vonesat për shkak të mospagimit në kohë të detyrimeve. 

“Dy janë vështirësitë kryesore. E para rritja e kostos së punës dhe e dyta zhvlerësimi i euros. Rënia e kursit të këmbimit ul të ardhurat e tyre. Në momentin që bien të ardhurat ai do përpiqet të uli kostot. Dhe si ulen kostot. Një nga format është duke mos paguar sigurimet.”

Lista e “borxhlinjve” nga tatimeve në fund të vitit të shkuar u përbë nga më shumë se 35 mijë biznese, pjesa më e madhe e tyre të mesme dhe të vogla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos