Po mendohet për në fundvit, veç indeksimit të pensioneve, paketë ndihme për shtresat në nevojë

Nga Marjo Brakaj
6 Maj 2024, 15:04 | Ekonomi

Veç indeksimit të pensioneve më 1 tetor, të moshuarit dhe shtresat në nevojë do të marrin edhe ca para më tepër këtë vit. Qeveria është duke diskutuar për hartimin e një pakete ndihme të ngjashme me ato të rezistencës sociale apo solidaritetit.

“Pavarësisht e inflacioni duket për momentin i stabilizuar, nuk do të ishte çudi ri-zgjimi i tij në muajt në vijim. Megjithatë, edhe me këto norma inflacioni përfituesit e pensionit, pavarësisht kategorisë janë duke vuajtur. Ndaj unë gjykoj se paketa mund të hartohet e shpërndahet brenda këtij gjashtëmujori, pa pritur fundin e vitit,” Selim Blliku, ekspert për ekonominë.

Në paketën e ndihmës parashikohet të përfshihen kategoritë e përfituesve të pensionit, bashkë me invalidët e punës dhe përfituesit e ndihmës ekonomike.

Për ekspertë të ekonomisë është e rëndësishme që nga masat mbështetëse të përfitojnë të gjithë, përfshirë pensionistët e futur në skemë rishtazi.

“Është një numër i konsiderueshëm i tyre që nuk ka plotësuar vitet e nevojshme dhe merr një masë të ulët të pensioneve. Nuk duhet të ndodhë ajo e vitet të shkuar ku u përfshinë vetëm 285 mijë pensionistët. Duhet të marrin mbështeten të gjithë.”

Pensionistët e mirëpresin paketën e ndihmës, aq më tepër kur për të dytin vit me radhë rritja e pensioneve nuk ndodh më në prill, por në tetor.

“Do ngrihen do ngrihen... 2 mijë lekë ma kanë rritur mua herën e fundit. Unë nuk kam besim fare te ato që thonë ata. Mua as me 6 mijë lekë nuk më rritet. Çmimet në qiell e pensionet rriten kaq pak. Jemi në vështirësi të mëdha ne.”

Hartimi i një skeme mbështetëse për shtresat në nevojë po mendohet në një kohë që ekonomia po kalon “ditë të mira”.

Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, në tre muajt e parë të vitit në buxhetin e shtetit hynë 163.8 miliardë lekë.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me tremujorin e parë të vitit të shkuar, arkëtimet u rritën me 7.64 miliardë lekë apo 4.9 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos