Përveç dërgimit të remitancave, diaspora luan një faktor kyç në promovimin e sipërmarrjes dhe investimeve të huaja direkte në vend.
Kështu e ka cilësuar ministri i Financave, Ervin Mete, nga Samiti i Diasporës, rolin e saj në ekonominë shqiptare, teksa shtoi se është një ndihmë edhe për procesin e integrimit të vendit.
“Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e BE-së dhe që synon konvergjencën e këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësi shumë e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore, financiare, por edhe të njohurive të diasporës shqiptare në këtë drejtim. Diaspora jonë ka një rol të posaçëm në procesin e integrimit Europian. Kjo edhe për faktin se Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të lartë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve në raport me ata që jetojnë brenda vendit”, tha ministri Mete. (A2 Televizion)