Erald Themeli, Drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, ishte i ftuar në “A2 Business” në A2 CNN, ku foli në lidhje me vendimin e BSH për rritjen e normës bazë të interesit, për të gjashtën herë me radhë brenda pak kohësh. Sipas Themelit, lëvizja në fjalë është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3 për qind.
Ai vijoi më tej duke thënë se, çdo lëvizje e politikës monetare bëhet thjesht dhe ekskluzivisht në funksion të stabilitetit të çmimeve, i cili është një parakusht i nevojshëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë, por edhe e mbron mirëqenien e shtresave të gjera sociale.
Pse Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë sërish normën bazë të interesit, për të gjashtën herë brenda pak kohësh?
Lëvizja e politikës monetare që ne kemi ndërmarrë gjatë vitit 2022 dhe 2023 është një masë që ka qenë dhe është e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3 për qind. Çdo lëvizje e politikës monetare bëhet thjesht dhe ekskluzivisht në funksion të stabilitetit të çmimeve, i cili është një parakusht i nevojshëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë, por edhe e mbron mirëqenien e shtresave të gjera sociale.
Pse duhet të bëhej një ndërhyrje tjetër?
Ndërhyrja ishte në kohën e duhur. Konkluzionet e analizës së Bankës së Shqipërisë janë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta. Kjo është evidente, në qoftë se shohim të dhënat e tregut të punës, të cilat shfaqin një rritje të shpejtë të punësimit dhe pagave. (A2 Televizion)