Shirat 5 milionë euro, reshjet e dendura rikthyen eksportet e energjisë elektrike

Nga Marjo Brakaj
8 Nëntor 2023, 14:36 | Ekonomi

Përpos përmbytjeve dhe dëmeve të tjera që po shkaktojnë reshjet, shirat e këtij fillimnëntori po i kursejnë vendit dhjetëra milionë euro për energjinë elektrike. Reshjet e dendura kanë mbushur hidrocentralet, duke bërë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të ndryshojë pozicion, nga vetëm në blerje, të shkojë drejt eksporteve.  

Në vetëm një javë, KESH ka shitur në tregjet e huaja 52 400 megavat/orë energji elektrike me vlerë 5,4 milionë euro.

Në fakt, thuajse gjithë viti, me përjashtim të verës, ka qenë i mbarë në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike. Në harkun e muajve janar-shtator, KESH ka shitur energji elektrike në vlerën e 81,2 milionë eurove, ndërsa për të blerë shpenzoi më pak se 36 milionë euro.

Arritja e një bilanci pozitiv me 45,3 milionë euro plus, u mundësua nga prodhimi i kënaqshëm. Të dhënat nga Enti Rregullator tregojnë se në harkun e muajve janar-shator u prodhuan plot 6667 gigavat/orë energji nga rreth 5000 një vit më parë.

Si pasojë edhe e hyrjeve të turistëve si kurrë më parë, konsumi i energjisë u rrit në 5880 gigavat-orë nga më pak se 3400 në harkun e muajve janar-shtator të vitit të shkuar.

Ndryshe nga panorama e sivjetshme, gjatë vitit 2022 Shqipëria bleu energji elektrike në vlerën e mbi 500 milionë eurove, 10-fish më tepër se këtë vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos