Sondazh: A mendoni se figura e Ismail Qemalit njihet sa duhet?
  • Po 17%
  • Jo 77%
  • Nuk e di 6%

PS i kërkon qeverisë më shumë: Bujqësisë nuk i mjaftojnë 14.2 miliardë lekë

Nga Marinela Lina
8 Nëntor 2023, 15:21 | Ekonomi

14.2 miliardë lekë do t’i shpërndahen bujqësisë për vitin që vjen, 1.5 miliard lekë më pak se një vit më parë. Sektori jetik zë 2% të Buxhetit total të Shtetit dhe nënfinancimi i tij pranohet edhe nga qeveria, e cila në komisionin e veprimtarive prodhuese u përball me kërkesën e deputetëve socialistë për më shumë fonde për bujqësinë.

“Buxheti 2024 është i mirë, por te bujqësia duhet të bëjmë më shumë për të kërkuar më shumë financim. Do shohim që do ketë nevojë dhe do rialokohet vitin tjetër”, u shpreh deputetja socialiste Edona Bilali.

“Buxheti që i është caktuar Ministrisë së Bujqësisë duhet të ishte në raport me kërkesën e pritshme, duhet të kishte një ritëm më të lartë”, deklaroi Laert Duraj.

Rritje fondesh kanë marrë zërat e pagave të administratës dhe shpenzimeve operative. Ndërsa ministrja Denaj flet për një riaolokim të mundshëm fondesh në gjysmën e dytë të vitit.

Por nga shpjegimi i saj për rrudhjen në tërësi të buxhetit për Bujqësinë, duket se ka dhënë një impakt pezullimi i projektit IPARD 3 nga BE-ja pas dyshimeve për korrupsion, çështje që po hetohet nga drejtësia shqiptare. 

“Nëse flasim se pse kjo ulje në raport me investimet e brendshme një nga arsyet është shuma prej 1.68 miliardë lekë, e cila ishte vendosur më parë si një fond për të mbështetur financimet e brendshme për IPARD 3, por për këtë vit për arsye të një procesi më të ngadaltë në ngadalësim të programit, e kemi rialokuar drejt disa zërave më të rëndësishme… një pjese e fondit shkon për vaditje kullim në mbështetje të bashkive”, u shpreh ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.

Ndërsa opozita vijon bojkotin në Komisione, deputetët socialistë nuk u kursyen në sugjerime që kryesisht lidhen me skemën e ndihmës ndaj fermerëve.

Skema e IPARD sidomos kur jepet për linjat e prodhimit të jepet me cikël të plotë ambalazhim, certifikim etj. Marim modelin në Greqi s’po shpikim rrotën.

Ismet Beqiraj

"Skema e ndihmës e fermerëve ka funksionuar me pluset dhe minuset kjo skemë të updatohet me qasjet e reja. Do doja që skema e re e mbështetjes së fermerëve të ishte më e drejtëpërdrejt dhe gjithëpërfshirëse, të shmanget radha, por kush është i përfshirë, të përfitojnë të gjithë," u shpreh Laert Duraj.

"Të ketë skemë më funksionale dhe stimuluese që u jepen fermerëve, por duhet ndërhyrë te sistemi i kanalizimeve," u shpreh Fadil Nasufi.

Me gjithë fondet e cunguara, nga bujqësia pritet shumë vitin e ardhëm. Ky sektor parashikohet të zgjerohet me 2.4 për qind gjatë 2024-s.

Debat - nga Alba Alishani