Përdorimi i parasë elektronike dhe transaksioneve bankare dhe më pak përdorim të cash-it është thirrja që bankat në vend i bëjnë qytetarëve për tu mbrojtur nga mashtrimet financiare. Për 2023 ky numër shënoi rritje duke përfshirë më shuëm qytetarë në skemat e mashtrimit.
“Raste ka patur si në gjithë botën dhe kanë qenë të limituara dhe në shuma të vogla. Në çdo rast që ka rritje të tyre ne ndërgjegjësojmë klientët si të veprojnë. Sulmet kibernetike dhe mashtrimet financiare janë rritur së tepërmi këto kohë por bankat të janë të mbrojtura. Të kemi në konsideratë që banka asnjëherë nuk të merr të dhënat nëpërmjet telefonit“, tha kryetari i Shoqatës së Bankave, Bledar Shella.
Qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kryen gati 18 milionë pagesa me kartë në 2023. Por pavarësisht shifrave në rritje kryetari i Shoqatës së Bankave, Bledar Shella tregon se ende jemi larg mesatares së BE.
“Sistemi bankar shqiptar është shumë i sigurte dhe ne kemi opsione të ndryshme për rritjen e kthimit në depozita, në rastin e investimit në obligacione. Nga të gjithë indikatorët që ne shikojmë, janë në rritje të ndjeshme, si pjesa e popullatës me llogari bankare, ashtu edhe numri i transfertave që kanë një rritje të ndjeshme vit pas viti, numri i kartave bankare si karta krediti dhe debiti. Të gjithë indikatorët në rritje, por do të thoja që jemi ende larg si nga mesatarja e rajonit por dhe e Europës.”
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se vlera totale e pagesave me kartë në janar-nëntor 2023 arriti në 136.5 miliardë lekë apo rreth 1.3 miliardë euro. Në raport me gjithë vitin 2022, vlera e pagesave elektronike u zgjerua me 2.7 herë. (A2 Televizion)