Paga mesatare në vend është rritur me rreth 8 mijë e 900 lekë në harkun e një viti. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 64 mijë 706 lekë në tremujorin e parë të vitit të shkuar, paga mesatare këtë fillim-vit ishte 73 mijë e 641 lekë. Mirëpo krahasuar me fundin e viti të shkuar, paga mesatare në vend është pakësuar me 1 mijë e 384 lekë apo 1.8 për qind. Kjo edhe për shkak se në fund-vit disa kompani japin shpërblime për punonjësit duke ndikuar rrjedhimisht te “fryrja” e pagës mesatare.
“Ajo që po ndodh është kjo: Nga njëra anë ne kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave dhe pjesën më të madhe të shoqërisë që ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është hiçgjë. Do ta përmblidhja si “shumë zhurmë për hiçgjë”, thotë eksperti Klajdi Bregu.
Zhurma më e madhe se të hollat po hyjnë në xhepa pohohet edhe nga Alberta, një re e punësuar që shpreson në pasjen e një page 900 euro.
“Unë jam 22 vjeç dhe kam mbaruar për “Graphic Design”. E kam nisur me një pagë minimale. Tani ka pasur një rritje të vogël, por në raport me jetesën marr aq pak sa nuk më mjafton. Nuk kam ndier ndonjë rritje të madhe rroge”, shprehet Alberta.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se veçse anemike, rritja e pagës mesatare po shoqërohet nga një thellim i hendekut mes shtetit dhe privat. Në harkun e muajve janar-mars paga mesatare në administratën publike ishte gati 85 mijë lekë, mbi 16 mijë lekë apo 19 për qind më e lartë se në privat.
Hendeqet ndërkohë janë thelluar edhe mes asaj që të punësuarit marrin në profesione të ndryshme. Sipas INSTAT punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare më të lartë në harkun e muajve janar-mars me gati 134 mijë lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 110 mijë e 364 lekë. Ndërkohë të bujqësi që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë paguhen mesatarisht me vetëm 49 mijë e 594 që nëse i heqim sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ajo që fermeri merr në dorë nuk i kalon 42 mijë lekët.
“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu sot tregu i punës po vuaj për punonjës ndaj rriten pagat. Po këto hendeqe veç shtetit dhe privatit nuk i bëjnë mirë tregut”, thotë Emian Muçaj.
Me gjithë zgjerimin e pagës mesatare, Shqipëria vijon të mbetet e fundit pas Kosovës në Rajon. Bosnje-Hercegovina është vendi me pagën mesatare më të lartë me 893 euro, ndjekur nga Mali i Zi me 885 euro dhe Serbia me 880 euro. (A2 Televizion)