SME-të në vështirësi, si bizneset shqiptare po shkojnë drejt mbylljes

Nga Marinela Lina
9 Tetor 2024, 11:50 | Ekonomi

Mungesa e investimeve, ndihmës financiare, adresimi i problematikave, por edhe konkurrenca e pandershme. Janë këto disa nga arsyet që një numër i lartë ndërrmarrjesh të vogla dhe të mesme në vend të përballen në vështirësi e deri në mbyllje të biznesit në vitet e fundit, shkruan A2 CNN.

Të paraqitura në studimin e kryer për sfidat dhe mundësitë për qëndrueshmëri e sektorit, ekspertë të tregut tregojnë se janë këta shkaktarë që po rrezikojnë mbijetesën e të bërit biznes në vend. 

Klodian Muço, ekspert ekonomie, shprehet: “Tek aksesibiliteti apo mundësitë që kanë për t’u financuar nga bankat e nivelit të dytë. Apo sa i përket fondeve që vendosen në dispozicion apo institucionet ndërkombëtare aksesi është shumë i ulët”.

Ndërsa sipërmarrësi Edvin Prençe thekson: “Sfida e parë është qëndrueshmëria, në atë fiskale, apo dhe incentivat që jep qeveria janë një mungesë. Ka qenë pothuajse inekzistente”.

Teksa këto biznese kryejnë dhe shitjet më të shumta të të gjitha llojeve të ndërmarrjeve në vend, tërheqja e investimeve, por edhe asistenca financiare nga sektori bankar ngelen një problem. Duke bërë që të sfidohen deri në largimin e punëtorëve, por edhe mbylljen e aktivitetit.

“Fondet që vihen nga organizatat janë anemike dhe nuk shkojnë ndonjëherë tek këto biznese që kanë nga 50-250 të punësuar”, nënvizon Muço.

“Është java e parë e tetorit, kemi mbi 250 punonjës të larguar dhe 3 aktivitete në Qarkun e Durrësit të mbyllura”, thekson Prençe.

Janë rreth 5 842 ndërmarrje të vogla dhe 1 306 të mesme me numër punonjësish nga 10 deri në 249 në të gjithë Shqipërinë. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në Qarkun e Tiranës, ndërsa numri më i vogël në Qarkun e Kukësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos