Themeli: Inflacioni është i paqëndrueshëm, po ndikohet nga rritja e pagave

Nga Marjo Brakaj
9 Nëntor 2023, 12:32 | Ekonomi

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%. Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm”. Kështu shprehej më 4 tetor të këtij viti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Mirëpo, pavarësisht se të dhënat paralajmëronin një rënie më tej të inflacionit, ashtu siç në fakt ndodhi, Banka e Shqipërisë rriti në 3.25 normën bazë të interesit për lekun në fillim të këtij muaji. Por, çfarë ndryshoi në më pak se një muaj, që Banka Qendrore të ndryshonte tërësisht mendim?

Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, deklaroi në “A2 Business”: “Ndërhyrja ishte në kohën e duhur. Konkluzionet e analizës së Bankës së Shqipërisë janë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta. Kjo është evidente, nëqoftëse shohim të dhënat e tregut të punës, të cilat shfaqin një rritje të shpejtë të punësimit dhe pagave”.

Teksa paralajmëron inflacion të luhatshëm edhe në vijim, Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, tregon edhe shkaktarët e kësaj paqëndrueshmërie: “Rënia e inflacionit ka ardhur kryesisht nga rënia e inflacionit të importuar. Ndërkohë, presionet e brendshme që vijnë nga pagat dhe kostot e prodhimit mbeten mbi objektivin tonë, përtej normës 3%.”

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, në fund të muajit të shkuar, i rekomandoi Bankës së Shqipërisë të çojë normën bazë të interesit në 4.5% në mënyrë që të arrihet objektivi i inflacionit 3%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos