Pas 600 milionë eurove në qershor të këtij viti, Shqipëria mund të marrë një eurobond të ri vitin e ardhshëm. Dalja në tregjet e huaja për të marrë një shumë që paraprakisht përllogaritet në më pak se 300 milionë euro është parashikuar në projektbuxhetin për vitin 2024.
“Nuk pritej marrja e një borxhi të ri në tregun e huaj pasi nuk janë kushtet më të mira. Kjo në një kohë që qeveria po përpiqet të joshë qytetarët që të investojnë te letrat me vlerë.”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Marrja e një eurobondi të ri vjen në një kohë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon se borxhi publik të ulet 61.5 për qind të Prodhimit të brendshëm Bruto këtë vit dhe 59.8 për qind në fund të 2024-s.
Nga ana tjetër dhe normat e interesit në tregjet e huaja nuk janë më të leverdishmet e mundshme.
“Vajti kohë që Banka Qendrore Europian ka rritur normat e interesit dhe dalja në tregjet e huaja rrjedhimisht shton kostot e borxhit si pasojë e normave të larta.” , tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Po çfarë po e detyron qeverinë të dalë në tregjet e huaja për borxh, në një kohë që kushtet nuk janë aspak të favorshme?
“Unë do të thosha që nuk është shërbimi i borxhit arsyeja kryesore. Besoj se më shumë lidhet me faturat e papaguara apo investime të planifikuara, ende të parealizuara.” , tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Kjo do të ishte hera e shtatë që nga viti 2010 që vendi del në tregjet e huaja për të marr borxh. Deri më tani vlera e Eurobondeve shkon në 3.15 miliardë euro.
Të dhënat nga “financat” tregojnë se aktualisht në portofolin e borxhit shtetëror janë 4eEurobonde në vlerën totale prej 2.4 miliardë euro apo rreth 255 miliardë lekë. (A2 Televizion)