Zhvendosja e varrezave të makinave, bizneset kundër. Kërkojnë pezullimin e vendimit

Nga Marinela Lina
15 Mars 2024, 14:56 | Ekonomi

Shoqata e Biznesit të vogël e të mesëm të Shqipërisë ka reaguar ndaj urdhrit të dhënë për zhvendosjen e serviseve dhe varrezave të makinave që ndodhen në rrugët nacionale dhe zonat e banuara. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit  kërkojnë pezullimin e vendimit.

“I drejtohemi ministrive përkatëse për shtyrjen e afatit për zhvendosjen e pjesëve të përdorura nga këto ambiente se është e pamunudur që në periudhë 3 ditore. Jemi të hapur të diskutojmë pasi nuk jemi kundër por duhen zgjidhje të tjera. Duam të pezullohet ky urdhër. U është dhënë afat disa ditor dhe më pas kolegët janë gjobitur duke filluar nga 3 milionë të vjetra. Të gjejmë mirëkuptim me institucionet”, thotë Bujar Muço, sekretar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Kushti për zhvendosjen e serviseve dhe varrezave të makinave 1 km larg rrugëve nacionale apo dhe zonave të banuara konsiderohet i padrejtë nga shoqata pasi krijon kosto të shumta për bizneset. “Është e pamundur të zhvendosësh se kërkon shumë kosto. Që të zhvendosen në një vend të tillë nuk ka ifnrastrukturë. S’ka energji elektrike, kanalizime kështu që është e pamunudur. Greqia i ka 10 metër nga rruga kryesore”, tha Muço.

Krenar Koçibelli, pronar i një servisi makinash në fshatin Bulgarec të Korçës e sheh të pamundur zbaitmin e këtij vendimi pasi i dëmton biznesin. Si zgjidhje ai sheh tashmë emigracionin. “Do e mbyll servisin dhe do iki emigrant. Shqiptari ka qenë i mallkuar që ditën e lindjes deri në vdekje nga ky shtet.  Në këtë servis kam shpenzuar gjithë djersën e emigracionit të vete të blejë tokë tjetër. Ca rrugëzgjidhje kemi. Na ngelet t’i vëmë kyçin servisit dhe të ikim në emigracion”, thotë ai.

Vetëm në qarkun e Korçës nga ky urdhër preken me shume se 380 servise dhe varreza makinash. Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka evidentuar 526 pika të grumbullimit të mjeteve të përdorura, të shpërndara pranë akseve kryesore rrugore të cilat duhet të zbatojnë vendimin.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli