Policia ka vënë në pranga dy persona të cilëve iu gjetën dhe sekuestruan armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe kokainë. Sipas Policisë bëhet fjalë për dy raste të ndryshme ; i pari në rrugën Frang Bardhi në kryeqytet dhe tjetri në Marqinet.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në rrugën "Frang Bardhi", kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën 39-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë”.
Për rastin e dytë policia njofton se gjatë ndalimit 34-vjeçari nuk i është bindur policisë dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka hedhur në tokë pistoletën
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në Marqinet, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin M. M., dhe pasagjer shtetasin A. E., 34 vjeç. Pasagjeri në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë”.
Dy armët e zjarrit me krëhëra e municion luftarak, së bashku me lëndën e dyshuar narkotike kokainë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. E., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)