Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha i thanë A2CNN se do të ankimojnë në Gjykatën e Posaçme vendimin e SPAK për moslejimin e pjesëmarrjes së klientit të tyre deputet në seancat plenare të Parlamentit.
Vendimi negativ ndaj kërkesës së Berishës u njoftua zyrtarisht nga SPAK këtë të premte, sipas të cilit, Berisha nuk mund të dalë nga izolimi shtëpiak për të shkuar në Kuvend. Në vendimin e refuzimit, prokurorët që po hetojnë Berishën, Enkeleida Millona dhe Arben Kraja, arsyetonin se sipas ligjit, për personat në masë sigurie “arrest në shtëpi” vlejnë të njëjtat rregulla si për ata që janë në paraburgim.
“E drejta për të ushtruar profesioni, apo qoftë mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi’, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë”.
Me tej, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë të nëntorit 2015, që refuzoi kërkesën e ish-deputetit Mark Frroku, atë kohë në paraburgim, për të marrë pjesë në seancat plenare, prokurorët e SPAK, arsyetonin se leje e veçanta për deputetë të izoluar nga masa sigurie nuk parashikohen as në ligj.
“Në rast se legjislatori do të kishte për qëllim që deputetit nuk duhet në asnjë mënyrë t’i ndërpritet mundësia për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, atëherë do të kishte bërë parashikime të tjera si në Kushtetutë ashtu edhe në ligjin procedurial penal. Kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur”.
Ndërsa ende nuk dihet qëndrimi që do të mbajë gjykata për këtë çështje dhe as se sa do të zgjasë hetimi i SPAK ndaj ish-kryeministrit, duket se ndalimi për 6 muaj i pjesëmarrjes së tij në parlament mund të çojë deri në djegien e mandatit e tij të deputetit. (A2 Televizion)