Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e një çifti shqiptar, që u kap pak kohë më parë duke trafikuar mbi 580 kg kokainë në Greqi.
Bëhet fjalë për Arjan dhe Lutmira Xhafaj, të cilët ndodhen të arrestuar në Greqi. U janë sekuestruar një tokë truall, një ndërtesë dhe një makinë tip "Golf".
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.1523, datë 02.11.2023, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e informacioneve të publikuara në media dhe verifikimeve të kryera, sipas të cilave njoftohen të dhëna se shtetasit A. Xh. dhe L. Xh., me banim në Fier, janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” dhe dyshohet se kanë pastruar në vendin tonë të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Nga veprimet hetimore të kryera në dinamikë në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shkëmbimit të informacionit me organet e tjera ligjzbatuese, si dhe analizimit e kryqëzimin të të dhënave të administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale të shtetasve A.X. e L.Xh, si më poshtë:
- Pasuri e paluajtshme nr. 24/198, vol. 30, fq. 230, lloji “truall” me sipërfaqe 300 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 110.70 m2, ndodhur në Vlorë;
- Shuma monetare 40,000 Euro;
- Automjet i markës “Volswagen”, model “Golf”, viti i prodhimit 2010.
Si ranë agjentët e DEA-s në gjurmët e drogës?
Agjentët e DEA-s në Athinë dhe prokurorët e antidrogës në Selanik morën informacionin për organizatën që importonte drogë nga Amerika Latine, ndoshta nga Ekuadori dhe po përgatitej për ta sistemuar në një shtëpi në lindje të Selanikut.
Menjëherë policia lokalizoi banesën dhe mbajti familjen nën vëzhgim. Pasditen e 28 shtatorit ora 15:25 dy makina parkuan në oborrin e shtëpisë së veçuar në Neios Epivates. Rreth dy orë më vonë, në orën 17:40, dy mbesat e 50-vjeçarit dhe bashkëpunëtori i tyre 33-vjeçar iu afruan automjeteve dhe nisën t'i mbushnin me çanta blu IKEA.
Gjatë ngarkimit, si 50-vjeçari dhe bashkëshortja e tij qëndronin në oborrin e shtëpisë duke mbikëqyrur procesin. Pas ngarkimit të drogës, makinat u larguar në drejtim të Selanikut. Në këtë moment ndërhyri policia dhe kreu arrestimin.
Disa nga pakot kishin simbolin nazist dhe sipas zyrtarëve të antidrogës ka të bëjë me praktikën e ndjekur nga kartelet e Amerikës Latine të përdorimit të logove për të identifikuar sasitë e kokainës që prodhojnë në laboratorët e tyre.
Në gjykatë të arrestuarit kanë thënë se ishin vetëm transportues dhe "po zbatonin një urdhër", ndërsa 50-vjeçari është shprehur se do të merrte 50 mijë euro për transferimin e drogës. Nga ana tjetër, bashkëshortja e saj ka mohuar të ishte e përfshirë në këtë trafik. (A2 Televizion)