E qëlloi i vëllai me armë pas konfliktit, ndërron jetën 57-vjeçari te spitali i Traumës

Nga Çaku Tafa
6 Mars 2024, 13:02 | Kronikë

Hazis Muçaj, 57-vjeçari, i cili u qëllua me armë zjarri nga i vëllai i tij, 77-vjeçari Nazif Musaj në Cukas të Fier-Sheganit, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, të kësaj të mërkure. Dy persona, vëllezër mes tyre, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për arsye pronësie, e për pasojë situata ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta dhe atyre të zjarrit.

Në konflikt e sipër, njëri prej vëllezërve e ka qëlluar tjetrin me sëpatë, ndërsa ky i fundit i është kthyer duke e qëlluar dhe plagosur me armë zjarri.

“Lushnjë/Informacion paraprak: Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sëpatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë. Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sëpatë), të përdorura gjatë konfliktit. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e parë të policisë pas ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos