Fatos Tushe shpallet sërish fajtor, por i shpëton burgut

Nga Armand Bajrami
9 Tetor 2024, 10:14 | Kronikë

Fatos Tushe shpallet sërish fajtor, por i shpëton burgut

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor ish-kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.

Tushe u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1 vit. Ndryshe nga SPAK, që kërkoi vetëm dënim me burg, përfundimisht gjykata ka vlerësuar të pezullojë ekzekutimin e dënimit me burg për Tushen, duke e lënë atë në Shërbim Prove për dy vite.

Në janar 2024 ish-kryebashkiaku i Lushnjës doli nga burgu, pasi përfundoi një dënim për “shpërdorim të detyrës” në dy raste.  

Sipas SPAK, Tushe nuk ka deklaruar në ILDKPI një apartament 82.3 m2 në Lungomare, Vlorë, një borxh të marrë, si edhe 2 automjete në një vlerë në total prej gati 50 mijë euro.

Dënimi i ishte kundërshtuar nga avokati i Tushës, Dritan Trifka. Në konkluzionet përfundimtare avokati i ka kërkuar gjykatës pezullim të dënimit me burg dhe lënien e klientit në Shërbim Prove. Avokati ka sjellë si raste analoge kërkesat e SPAK për ish gjyqtarët Fatos Lulo dhe Bashkim Dedja, të gjykuar për të njëjtën akuzë dhe për të cilët SPAK ka kërkuar dënim alternativ dhe jo burg. Në këtë proces Tushe është hetuar dhe gjykuar pa asnjë masë sigurie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos