Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK që t'i japë Erion Veliajt 24 nga 61 fashikujt e dosjes. Prej kohësh avokati Plarent Ndreca ka pretenduar se klienti i tij nuk është njohur me të gjitha aktet e dosjes hetimore.
Në Gjykatën e Posaçme ishte seanca e parë në themel për kryebashkiakun e Tiranës dhe të pandehurit e tjerë në proces. Veliaj mungoi përsëri në shenjë proteste për mbajtjen e tij në kafazin e qelqtë. Përmes një shkrese për gjykatën ai e quan të paligjshëm, diskriminues dhe antikushtetuese izolimin e tij në sallën e gjyqit.
Në seancë munguan 4 avokatë të të pandehurve në proces. Për këtë arsye, prokurori i posaçëm Ols Dado kërkoi shtyrjen e seancës. GJKKO pranoi kërkesën duke shtyrë seancën për më datë 16 qershor dhe vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, vendim që u kundërshtua nga mbrojtja e tij. (A2 Televizion)