Dy call-centera, nga ku mashtroheshin shtetas nga disa kontinente për të investuar shuma parash në platforma dhe tregje fiktive, janë mbyllur gjatë një operacioni të policisë.
Operacioni i kryer nga Krimi Ekonomik erdhi pas një hetimi 6-mujor, të iniciuar në Prokurorinë e Gjirokastrës.
Uniformat blu kanë vënë në pranga 8 persona në të dyja subjeketet, ndërsa bëhet me dije se në total janë gjetur 75 punonjës, të paregjistruar në organet tatimore.
Të arrestuar janë bashkëpronarë dhe punëtorë, të cilët dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 13.500 euro, një automjet luksoz, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i hetimeve të ndjekura për rreth 6 muaj, me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Gjirokastër, në bazë të procedimit penal nr. 471, të vitit 2023, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “World Clock”.
Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit: E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, E. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, M. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. H., 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A. H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, S. B., 35 vjeç, banues në Vlorë, F. H., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E. M., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve. (A2 Televizion)