Grabitja e miliona eurove në Rinas, SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2024, 13:51 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar këtë të hënë dënimin me 19 vite burg për Talo Çelën, i akuzuar si një nga grabitësit e miliona eurove në vitin 2019, nga avioni që do të transportonte valutat drejt Austrisë në aeroportin e Rinasit.

I pandehuri Çela u gjykua në mungesë, pasi masa e sigurisë "arrest në burg" e dhënë ndaj tij nuk është ekzekutuar nga policia, që ka dështuar në disa aksione radhazi për ta vënë në pranga.

Seanca e radhës ku pritet të merret vendimi për Çelën është caktuar për në datën 21 nëntor, në orën 10:00.

Talo Çela është një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, i cili u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në arrestimin e Nuredin Dumanit.

Për grabitjen në Aeroportin e Rinasit në vitin 2019, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Respektivisht, Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me nga 17 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos