Kokaina me logo “KF Tirana”, arrestohen tre shqiptarë në Itali

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 16:55 | Kronikë

Kokaina me logo “KF Tirana”, arrestohen tre shqiptarë në

Një operacion i madh antidrogë ka çuar në sekuestrimin e 172 kilogramëve kokainë, me një vlerë tregtare mbi 25 milionë euro, si dhe në arrestimin e tre shtetasve shqiptarë në Itali, shkruan A2 CNN. Të arrestuarit janë dy vëllezër, 28 dhe 21 vjeç, si dhe një burrë 43-vjeçar, të gjithë pa precedentë penalë.

Ajo që ra në sy nga fotot e publikuara nga autoritetet italiane ishte se, në disa nga pakot e kokainës ishte stampuar logo e klubit të futbollit Tirana, ndërsa në të tjera stema e Portugalisë dhe Brazilit.

Arrestimet u kryen në zonën industriale të Rubieras, në provincën e Reggio Emilias, falë bashkëpunimit mes skuadrave të policisë nga Bologna dhe Modena.

Hetimet u zhvilluan në koordinim mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, të cilat kishin informacion mbi mbërritjen e një automjeti Renault Captur me dy shqiptarë brenda. Ata u ndoqën që nga Trieste, ku kishin kaluar natën, deri në Rubiera. Policia ndërhyri në momentin kur një kamion u ndal dhe shoferi i tij i dorëzoi dy vëllezërve një zarf të verdhë me drogë brenda. Gjatë kontrollit të kamionit, u gjetën edhe 156 kilogramë të tjera kokainë, të fshehura në një ndarje të veçantë nën dërrasat e rimorkios.

Të tre të dyshuarit u arrestuan dhe tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet për zinxhirin e trafikantëve vazhdojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos