Lëvizte me makinë të vjedhur, arrestohet në Durrës “Çipuri”, ish-anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë

Nga Elitjona Doko
22 Shkurt 2024, 11:03 | Kronikë

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar ish-anëtarin e bandës së Gaxhait në Vlorë, Armando Sulejmani. I njohur me nofkën "Çipuri", Sulejmani u prangos në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një makinë në Tiranë në bashkëpunim me persona të tjerë.

Në momentin e arrestimit ka qenë me makinë të vjedhur me targa të mbivendosura. Të njëjtat targa janë të një makine “Range Rover”, që rezulton e vjedhur disa kohë më parë në Tiranë.

“Durrës/Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale.  

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje. Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.   

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.

Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. 

Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.  

Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.     

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos