Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dhënë sqarime rreth draftit të Aministisë Penale, e cila do të votohet të enjten në Parlament.
Duke kujtuar sesi është vepruar me amnististë e mëparshme, Manja ka kërkuar nga ligjvënësit, që projektligjin, ditën e nesërme ta votojnë unanimisht.
Më herët gjatë ditës së sotme, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se ai dhe grupi i deputetëve që e ndjekin nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes në Kuvend, e për rrjedhojë as nuk do ta votojnë draftin i cili kërkon 84 vota.
Lulzim Basha u shpreh se drafti aktual parashikon lehtësira për zyrtarët e korruptuar dhe nuk përfshin qytetarët, që sipas tij, kanë qenë viktima të këtij korrupsioni.
Megjithatë, Manja shpjegoi se sa i përket të dënuarve nga GJKKO me vendim të formës së prerë, është marrë parasysh Neni 18, pika 1 e Kushtetutës.
“Amnistia është mbi dënimin dhe veprat dhe nuk lidhet me kompetencën e gjykatës nga e cila është dënuar personi. Ekspertiza e Komisionit të Ligjeve dha dakordësinë për këtë amendament. Kjo nuk do të thotë se ne jemi refraktarë në këtë drejtim. Qëllimi ynë ka qenë i qartë me draftin që çuam”, sqaroi Manja.
Manja theksoi se nuk do të ketë amnisti nga ndjekja penale ndaj asnjërës prej lëndëve që janë në GJKKO, me përjashtim të disa rasteve që përbëjnë kundravajtje të lehta penale.
Kemi ndjekur parimin e humanizmit. Ata që nuk përfitojnë plotësisht nga amnistia të marrin ulje dënimi. Varianti ynë nuk e kishte këtë version, por pranuam amendamentin që u propozua në Komision.
Teksa deklaroi se e mira do të ishte që amnisti penale të bëhej çdo vit, Manja theksoi se bëhet fjalë për një akt të sovranit dhe jo të qeverisë.
(A2 Televizion)