Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon Ilir Selmani: Jam dënuar me prova false

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2024, 12:46 | Kronikë

Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon Ilir Selmani: Jam dënuar me prova

Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, dëshmoi në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Dukës e të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.

Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.

Nga kafazi i sallës së gjyqit, Selmani tha se Blendi Teta, po ashtu i dënuar për ngjarjen, ishte marrë peng dhe kërcënuar nga Ervis Martinaj dhe se ishte detyruar të firmoste shkresa që nuk i kishte lexuar.

Sipas dëshmitarit Selmani, ditën e ngjarjes kishte drekuar në një restorant tek "Fresku" me Leonard Dukën, Erlis Dukën, Olian Lokën, Dritan Again e disa të tjerë.

"Unë shkoj shpesh në atë lokal, se e kam 20 metër larg shtëpisë. Leonard e Erlis Duka merren me kompani bastesh sportive. Dreka me ta ishte rastësi. Ishim 8-9 veta dhe qëndruam 2-2.5 orë. Blendi Teta e Fatmir Hyseni kanë qenë me ne. Tetën e solli Ervis Metani, i cili qëndroi veç 10 minuta dhe iku".

Sipas Selmanit, në përfundim të drekës ai kishte shoqëruar me një automjet "Skoda" që përdorej për aktivitetin e vëllezërve Duka Blendi Tetën drejt një vendqëndrimi taksish.

"Blendi do shkonte te bashkëjetuesja. Tek Rruga-Ura nuk gjetëm taksi, ndaj e çova deri te QSUT. Aty Blendi me tha ta prisja 10 minuta. Mua me lëvizi një roje i një godine para së cilës kisha ndaluar. Qëndrova veç një minute dhe u largova. Nuk e prita të hipte në taksi. U ktheva tek lokali, por policia kishte rrethuar Leonard e Erlis Dukën. Makinën e çova në një lavazh. Telefonin e kisha harruar në lokal dhe ma solli Aleksandër Manxhaku. Fola me bashkëshorten në telefon. Më tha, ka ardhur policia. Më kaloi në telefon Klodin e vrasjeve. Ai më tha që duhet të shkoja në komisariat, por unë nuk shkova. Policinë e kam fobi. Ka patur raste kur na kanë shoqëruar, dhunuar e më pas lënë të lirë në mëngjes. Atë natë gjeta tek një mik në lagje", shtoi Selmani.

Në lidhje me rrugën e kthimit për në lokal, pranë vendit të ngjarjes, dëshmitari tha se kishte qenë makina e disatë në radhë, kur kishte dëgjuar zhurmë dhe një fuoristradë kishte dalë jashtë rruge. Nja dy makina para meje u kthyen në drejtim të kundërt me mua, tha dëshmitari.

"Pas disa ditësh e pashë  në media 9 veta në kërkim për një akuzë të rreme. Unë po vuaj dënim, por jam pa faj. Çdo provë është e manipuluar. Ju prokuror nuk keni bërë asnjë hetim, por i keni marrë të gatshme. Janë paguar mbi 500 mijë euro për të  dëmtuar Leonard e Erlis Dukën", shtoi ai.

Selmani u arrestua në prill të vitit 2020, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Santiago Malkos. I dyshuar dhe si i përfshirë në klanin “Duka”, Selmani ra në prangat e policisë në afërsi të maternitetit “Koço Glizoheni”.

Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos, pasi u kap nga disa kamera sigurie teksa mblidhte mbeturina dhe i hidhte në një kosh pranë vendngjarjes.

Hetimet për vrasjen treguan se motiv për ngjarjen e rëndë u bënë përplasjet e grupeve kriminale në Tiranë. Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Santiago Malko dikur ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli