Masakra e Lushnjës, dënohet me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu

Nga Armand Bajrami
24 Prill 2024, 15:39 | Kronikë

Gjykata e Posaçme i dha fund procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, duke vendosur përfundimisht dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Haxhiu u fajësua si një nga autorët e masakrës së Lushnjës, shtatorin e vitit 2017, ku në përpjekje për të vrarë Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

Sipas treshes gjykuese të kryesuar nga Erjon Çela dhe anëtarë Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, tentativa e vrasjes me paramendim ndaj Xhulio Shkurtit ishte bërë për hakmarrje.

Përveç vrasjeve dhe atyre të mbetura në tentativë, Haxhiu u fajësua edhe për “grup të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Laert Haxhiu u gjykua në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Teksa ishte nën hetim nga SPAK ai u arrestua në Greqi në maj të vitit të kaluar vend nga po kundërshton në rrugë gjyqësore ekstradimin e tij në Shqipëri.

Me herët, për të njëjtën ngjarje janë dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, si anëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Haxhiu. Pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, SPAK identifikoi të tjerë të dyshuar të grupit, si edhe dokumentoi 17 ngjarje të rënda kriminale që janë kryer midis viteve 2018-2021, mes të cilave 6 vrasje të realizuara në Peqin, Korçë, Tepelenë dhe Athinë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi