Një 34-vjeçar nga Shkodra ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi përmes mashtrimit e falsifikimit ka përvetësuar 27 mijë euro nga kompania ku punonte. Sipas Policisë, ai kryente depozita të ndryshme bankare nga kompania ku punonte dhe mashtronte duke depozituar shuma më të vogla parash se shumat reale, duke paraqitur dokumente të falsifikuara.
Nëpërmjet mashtrimit, ky shtetas ka përvetësuar 27 000 euro dhe në vendin e tij të punës, ka paraqitur dokumente (mandate) të dyshuara të falsifikuara.
Njoftimi Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka finalizuar operacionin policor të koduar "Statment".
Gjatë operacionit u ndalua shtetasi R. A., 34 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale "Mashtrimi", "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve".
Ky shtetas, duke qenë i punësuar në një kompani nga e cila kryente depozita të ndryshme bankare, mashtronte duke depozituar shuma më të vogla parash se shumat reale.
Nëpërmjet mashtrimit, ky shtetas ka përvetësuar 27 000 euro dhe në vendin e tij të punës, ka paraqitur dokumente (mandate) të dyshuara të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë. (A2 Televizion)