Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, e zhvendosi në Gjykatën e Lartë betejën e tij gjyqësore për të fituar lirinë e humbur më 21 tetor. Përmes avokatit, Genci Gjokutaj, Meta depozitoi një rekurs kundër vendimit të 19 nëntorit 2024 të Apelit të Posaçme, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë më herët ndaj tij.
Avokati Gjokutaj tha se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë masën e dhënë nga dy shkallët më të ulëta, me pretendimin se ish-presidenti i Republikës po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.
“I kemi paraqitur të gjitha argumentet, që nga ndalimi kriminal që i është bërë. Pastaj për secilin episod, si për lobimin në SHBA, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë të z. Meta, që e ka bërë atë nominalisht, si person. Pastaj edhe për CEZ DIA, çështje e bazuar në kallëzues të rremë, dëshmitarë të rremë dhe mbi prova të marra në kundërshtim me ligjin."
Sipas avokatit, mes argumenteve për lirimin e Metës ishte listuar edhe nevoja për të qenë pjesëmarrës në fushatën elektorale të para 11majit.
“Ai nuk ka asnjë kusht dhe asnjë kriter për të qenë në ‘arrest në burg’, në kushtet e liderit të dytë të opozitës dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.”
Gjokutaj tha se Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet, që sipas tij nuk e ka treguar deri më sot dhe se pas shterimit të gjykatave të brendshme, nëse është e nevojshme do të trokasin edhe në Strasburg.
Ish-presidenti i Republikës po hetohet nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”. (A2 Televizion)