SPAK ka mbyllur hetimet mbi 9 personat e akuzuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, duke zbardhur akuzat e ngritura ndaj tyre.
Mes veprave penale për të cilat akuzohen janë 4 vrasje, 1 vrasje e mbetur në tentativë dhe 5 shkatërrime prone me lëndë shpërthyese dhe 2 grabitje me armë. Një nga episodet për të cilat akuzohen të pandehurit është edhe shpërthimi në lokalin e reperit Noizy në Durrës, ngjarje e ndodhur më 8 qershor të vitit 2022.
Të pandehurit, akuzohen edhe për vrasjen e Çajup Selimit më 1 qershor 2021 në Tepelenë; të Fridman Xhaferrajt më 2 qershor 2021 në Korçë, Alban Semakut në Peqin më 17 tetor 2021 dhe Albi Bashaliut po në Peqin më 27 dhjetor 2021.
Haxhiu akuzohet se është organizatori i bandës me 15 anëtarë dhe akuzohet për të paktën nëntë vrasje, duke përfshirë dy ekzekutime në Athinë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”, ku u vranë dy persona, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi më 11 shtator 2017, kur Haxhiu dhe një bashkëpunëtor hynë në një lokal dhe qëlluan mbi viktimat.
Ai u ekstradua nga Greqia në Shqipëri pas disa tentativave për t'u shmangur nga autoritetet shqiptare. Aktualisht, Haxhiu ndodhet në burg dhe vazhdon të jetë nën hetim për krime të tjera. (A2 Televizion)