Ekzekutimi makabër i Hamza Liçit dhe Arlind Bushatit pasditen e 30 tetorit në Shkodër, ku u vranë edhe një çift bashkëshortësh të rastësishëm në vendngjarje, do të hetohet nga SPAK.
Pas gati 10 ditësh hetime Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër shpalli moskompetencë për hetimin e këtij rasti. Burime pranë kësaj prokurorie bënë me dije se nga hetimi i deritanishëm, këqyrja e vendit të ngjarjes, lloji i armëve të përdorura, dëshmitë e mbledhura, dinamika e krimit, si edhe të dhënat e mbledhura për të kaluarën e viktimave Liçi e Bushati kanë ngritur dyshime se autorët e krimit kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Për shkak se kjo akuzë është në kompetencat e SPAK dosja do të zhvendoset në duart e prokurorëve të posaçëm. Hamza Liçi dhe Arlind Bushati po udhëtonin në bordin e një automjeti “Mercedes” kur nga një automjet “Range Rover” në lëvizje u derdhën breshëri automatike në drejtim të tyre, shkruan A2.
Liçi, vëllai i Ibrahim Liçit, i kërkuar nga drejtësia për “vrasje” ndërroi jetë në vend, ndërsa Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. E njëjta ngjarje i mori jetën edhe bashkëshortëve Flutura e Bashkim Basha.
Motoçikleta ku udhëtonin u përplas nga automjeti i Liçit, pasi ky i fundit u qëllua me breshëri dhe humbi kontrollin e mjetit. Të dy ndërruan jetë në spital pas plagëve të rënda të marra, përcjell A2.
Gati një orë pas ngjarjes Policia gjeti pak kilometër larg vendit të ngjarjes automjetin e autorëve, krejtësisht të shkrumbuar bashkë me dy armë zjarri kallashnikovë.
Ndërsa në vendngjarje u sekuestruan një pistoletë që mbahej nga viktima Liçi, një tjetër pranë trupit të Bushatit dhe një e tretë në kruskotin e mjetit. Pista kryesore në të cilën është përqendruar grupi i hetimit është e kaluara e Liçit e Bushatit dhe përplasjet mes grupeve kriminale në Shkodër. (A2 Televizion)