Alfred Beleri i është nënshtruar një procesi të rregullt ligjor në Gjykatën e Posaçme dhe gjatë përballjes së tij me drejtësinë për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” nuk i është cenuar asnjë e drejtë kushtetuese.
Konfirmimi vjen nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi të rrëzojë kërkesën e Belerit për shfuqizim të masës së sigurisë “arrest në burg”, masë në të cilën u hetua edhe gjykua. Në të njëjtën vendimmarrje, të marrë pas një shqyrtimi pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh, Gjykata Kushtetuese rrëzoi çdo pretendim të ngritur nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, aktualisht i fajësuar nga Gjykata e Posaçme dhe dënuar me 2 vjet burg. Kështu, Kushtetuesja nuk legjimitoi Belerin në pretendimin e tij se i ishte cenuar parimi i barazisë para ligjit.
Në lidhje me masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar nga Shkalla e Parë dhe lënë e pandryshuar edhe nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, Kushtetuesja vlerësoi se kufizimi i lirisë së Belerit ishte bërë për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal. Në këtë linjë arsyetimi, sipas gjykatës, masa “arrest në burg” nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes. Sa i përket pretendimit të Belerit për cenimin e të drejtës për t’u zgjedhur, Kushtetuesja pranonte se masa “arrest në burg” pamundësonte kryerjen e procedurës së betimit si kryetar i Bashkisë Himarë e për pasojë përbënte një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur.
“Sidoqoftë, arsyetonte Kushtetuesja, duke qenë se gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur”. I pabazë, sipas Kushtetueses, ishte edhe pretendimi i Belerit për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë. (A2 Televizion)