Një oficer i Antiterrorit në Policinë Shqiptare është pjesë e personave të arrestuar pas një operacioni antidrogë të nisur në Itali, ku dhjetëra persona, kryesisht shqiptarë, akuzohen për një grup të strukturuar që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut dhe nga Shqipëria, shkruan A2 CNN.
Në pranga ka rënë punonjësi i Policisë së Shtetit, I.Haxhiaj, i cili është arrestuar nga AMP. Më parë, Haxhia ka qenë edhe pjesë e Skuadrës Operacionale. Ai akuzohet për disa vepra penale, nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Gjykata e Breishas ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 9 prej të cilave janë ekzekutuar në qytetin italian. Sipas të dhënave paraprake janë 49 personash që po hetohen, 46 prej të cilëve janë shqiptarë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar afro 3 milionë euro, ndërsa nga shitja e drogës ky grup përllogaritet të ketë fituar 12 milionë euro.
Sipas raportimeve në mediat italiane, grupi importonte në Itali kokainë nga Amerika e Jugut, ndërsa heroinën e merrte nga Shqipëria. (A2 Televizion)
